Rrugët e Besimit

Krahina e Myzeqesë dhe zona kodrinore pas saj përbën një njësi gjeografike të pasur me monumente të trashëgimisë kulturore nga antikiteti deri tek objektet e kultit të besimeve të ndryshme fetare në të gjitha kohërat. Gjurmët e bazilikave dhe kishave të zbuluara në Apoloni, Libofshë, Ardenicë, Bylis dhe Ballsh (Luginën e Gjanicës), dëshmojnë pikërisht për bazën e besimit të hershëm ndër banorët e këtyre trevave. Ndërsa krishtërimi dëshmohet që me predikimet e Shën Pavlit në shekullin I-rë pas Krishtit. Përhapja e krishtërimit dhe pranimi i tij si besim zyrtar i perandorisë Romake kishte filluar qysh në shekullin e IV pas Krishtit. Me zyrtarizimin e kësaj feje nga perandori romak Kostandini i Madh në vitin 313 me Ediktin e Milanos, edhe Apolonia trasformohet në një qendër të rëndësishme të organizimit kishtar, Peshkopat i cili përfshinte edhe qytetin e Bylisit. Deri në mesin e shekullit të V- të (viti 451) peshkopi Eusebio përfaqëson Apoloninë dhe Bylisin. Pas vitit 451 peshkopata trasferohet nga Apolonia në Bylis dhe vazhdoi të qëndrojë këtu deri në rrënimin e Bylisit në shekullin e VI-të (viti 586), ku më pas transferohet në Bazilikën e Ballshit (Gllavenicë), ku qëndron gjatë gjithë mesjetës.

 

Gjatë shekujve të V-VI kemi një fluks të madh ndërtimesh kulti që përbëjnë edhe periudhën e parë kulmore të zhvillimit të krishtërimit në vendin tonë. Periudha e dytë e zhvillimit të krishtërimit, i përket gjysmës së dytë të shekullit XII-të dhe vazhdon deri në mesin e shekullit XV-të. Periudha e tretë i përket shekullit XVIII-të. Gjatë gjithë kësaj periudhe, në Myzeqenë e Vogël (Zona e Fierit) janë ndërtuar një numër i madh kishash dhe manastiresh, të cilët përbëjnë një ndër vlerat më të arrira të kulturës ortodokse bizantine të kësaj krahine. Janë të njohura ditët festive ndaj shenjtit që i është kushtuar kisha, si në Manastirin ‘Fjetja e Shën Mërisë’ në Apoloni, më 15 Gusht etj. Trashëgimia e kësaj tradite nga shekulli në shekull dhe frekuentimi i institucioneve fetare nga popullsia vendase, kanë krijuar “Rrugët e Besimit” që është rruga drejt kulturës dhe turizmit elitar dhe jo vetëm. Turistët kanë mundësi të vizitojnë disa nga këto qendra të hershme besimi, të cilat janë ruajtur si dëshmi e vyer e kësaj trashëgimie. Së bashku me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, “Rruga e Besimit”, është një ftesë e denjë e turizmit të krahinës së Myzeqesë.

KISHA 'FJETJA E SHËN MËRISË' - POJAN

Datohet nga fillimi i shekullit të XIII-të. Arkitektura e Kishës ‘Fjetja e Shën Mërisë’ është unike në llojin e vetë në Shqipëri. Ajo dhe manastiri në të cilin ndodhet, janë ndërtuar me elemente arkitektonike të qytetit antik të Apolonisë. Manastiri është ngritur mbi rrënojat e qytetit antik dhe një bazilike paleokristiane të antikitetit të vonë. Planimetria e saj është në formën e kryqit të brendashkruar me kupolë dhe i përket tipit të kishave bizantine. Pjesa e poshtme e saj është ndërtuar me gurë nga teatri i Apolonisë, ndërsa pjesa e sipërme me tulla të suvatuara me një suva të kuqe pas një rikonstruksioni të mëvonshëm.

Kisha ka të gërshetuar elemente të artit bizantin dhe atij romanik. Kolonada e ekzonarteksit të saj përbëhet nga 8 shtylla oktagonale, në kapitelet e të cilave janë paraqitur krijesa mitologjike (Sirena, zogj përbindësha), gjë që e bën këtë kishë unike në llojin e saj në territorin e Shqipërisë duke patur elemente të stilit romanik, qartësisht një stil i ardhur nga Italia e jugut. Nën portikun e saj gjendet një çisternë uji, e cila ka si grykë një pjesë kolone të një tempulli të stilit dorik. Kisha ka qenë e pikturuar me afreske, të cilat për fatin e keq ruhen vetëm në disa vende. Në një prej tyre që ndodhet në faqen perëndimore të kishës, paraqitet familja perandorake bizantine e Perandorit Mihal VIII Paleolog së bashku me perandoreshën dhe të birin, Andronikun e II- të. Piktura vlerësohet si e vetmja në artin bizantin që paraqet së bashku këta dy perandorë.

Fragmenti i saj në të cilin Perandori Mihal i VIII-të i dhuron Shën Marisë maketin e kishës tregon se kisha është rindërtuar pikërisht me porosi të tij, dikur nga fundi i shekullit të XIII-të. Nën këtë afresk ndodhet një tjetër afresk dhe kjo gjë dëshmon se kisha i përket një periudhe më të hershme, të paktën fillimit të shekullit të XIII-të. Në pjesën e jashme të kishës, në anën jugore të saj, ndodhet i punuar një reliev, ku është vendosur një shqiponjë me një kokë dhe në krahët e saj ka një kryq të dyfishtë, që tregon se kisha ka ekzistuar dhe është restauruar në një periudhë më të vonshme.

MANASTIRI I SHËN KOZMAIT - KOLKONDAS

Është ndërtuar në vitin 1813–1815 me porosinë dhe ndihmën e pashait të Janinës, Ali Pashë Tepelenës, për të nderuar kujtimin e Kozma Etolit për të cilin kishte një adhurim të veçantë si fat-thënës. Më 24 Gusht 1779 me porosi të sundimtarit të Beratit, Ahmet Kurt Pashës, ekzekutohet në fshatin Mujalli dhe trupi i hidhet në lumin Seman. Ujërat e nxorën në breg disa kilometra më poshtë, në fshatin Kolkondas pranë kishës së Shën Mërisë. Pikërisht aty u ndërtua edhe kisha e tij së bashku me konakët e manastirit. Nga manastiri i dikurshëm kanë mbetur kisha dhe disa pjesë të konakëve të vjetër. Konakët janë përdhese, me dhomat e vendosura varg njëra pas tjetrës, të paraprira nga një hajat i hapur me shtylla druri, i cili shkon gjatë gjithë gjatësisë së ndërtesave.

Në anën jugore të kishës së Shën Kozmait ruhen rrënojat e kishës së Shën Mërisë shkatërruar nga ujërat e lumit. Kisha e Shën Mërisë është pikturuar në vitin 1782. Ndërmjet kishës së vjetër dhe asaj të resë në vitin 1942 u ndërtua një paraklis, ku u vendosën reliket e Shën Kozmait dhe një kenotaf ku ishin vendosur eshtrat e tij. Kisha e manastirit të Shën Kozmait është e tipit bazilikal, me përmasa të brendshme 17×8.60m me tre nefe gjatësore. Në pjesën qendrore naosi ndërpritet nga një transept, në kryqëzimin e të cilit (me nefin gjatësor qendror), ngrihet kupola mbi një tambur të lartë. Transepti përfundon në dy ekstremitetet me dy absida si në anën veriore dhe atë jugore.

Ikonostasi prej druri të gdhendur, punuar në vitin 1835 që ndan ambientin e altarit. Hyrjet për në kishë janë në anën veriore dhe perëndimore. Nga pamja e jashme pavarësisht se terreni ia ka humbur lartësinë fillestare nga mbushja e aluvioneve, bije në sy kompozimi dinamik i pjesës së sipërme të ndërtetsës. Në faqen qendrore të absidës lindore dhe mbi portën veriore janë vendosur pllakat me mbishkrime. Në manastir ka pasur edhe një shkollë fetare greke dhe një bibliotekë e pasur që më vonë është transferuar në manastirin e Ardenicës. Në vitin 1963 manastiri është shpallur monument kulture. Shën Kozmai nderohet në çdo 24 Gusht dhe aty organizohen panaire dhe shërbesa të ndryshme fetare kushtuar kësaj dite. Distanca nga Apolonia tek manastiri është 23,4km.

KISHA E SHËN PREMTES - POVELÇË

Datohet në gjysmën e dytë të shekullit të XIII-të. Aktualisht është në gjendje jo optimale, por ende frekuentohet sistematikisht nga një numër shumë i vogël besimtarësh.

MANASTIRI I SHËN MËRISË - ARDENICË

Manastiri i Ardenicës është një nga manastiret më të mëdhenj dhe i vetmi ku bëhet jetë murgjërore (vetmie) e plotë. Ai ngrihet në majën e kodrës së Ardenicës me lartësi 237m mbi nivelin e detit, pjesë e një vargëzimi kodrinor që përshkon fushën e Myzeqesë nga jugu në veri, në një pozicion shumë piktoresk. Mendohet se aty ku është ndërtuar manastiri, ka qenë një tempull pagan kushtuar Artemisit nga buron edhe origjina e emrit të sotëm Ardenicë. Manastiri ka qenë një investim i perandorit Androniku i II-të Paleolog për të falenderuar Shën Mërinë për fitoren që i dha ndaj Anzhuinëve, gjatë rrethimit të Beratit. Manastiri i është kushtuar Shën Mërisë Hyjlindëses, dhe festohet më 8 Shtator. Bërthama e parë e manastirit është Kisha e Shën Triadhës që i ka fillimet e veta në shekullin X-të, ndërsa manastiri është themeluar në fund të shekullit të XIII-të, në kohën e Despotatit të Epirit.

Sipas një gojëdhëne, në vitin 1451 në këtë manastir është celebruar martesa e Gjergj Kastriot Skënderbeut me Donika Aranitin. Kisha qendrore e Shën Mërisë Hyjlindëses, u restaurua në vitin 1743, me kontributin e tregëtarëve voskopojarë. Një nga figurat më të rëndësishme që ka kontribuar në ndërtimin e saj ka qenë igumeni i manastirit Nektor Terpo nga Voskopoja. Manastiri është ndërtuar në formën e një trekëndëshi me sipërfaqe prej 2500 m2. Në qendër ngrihet kisha e Shën Mërisë Hyjëlindëse, e cila rrethohet nga të gjitha anët prej konakëve të murgjëve. Kisha është zbukuruar e gjitha me afreske, vepër e vëllezërve korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi, të cilat datojnë në vitin 1744. Midis afreskeve paraqitet Joan Kukuzeli nga Durrësi, muzikant i shquar bizantin i shekullit të XIV-të. Ikonostasi është punuar rreth vitit 1744 nga Kostandin Shpataraku. Ndër ikonat e tij ka qenë edhe një ikonë e Shën Joan Vladimirit, ku paraqitej i pikturuar në miniaturë princi shqiptar Karl Topia.

Kjo ikonë sot ndodhet në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Të gjitha punimet në dru të kësaj kishe janë lyer me bojë ari. Në to gjenden mjaft elementë me motive nga bota shtazore dhe bimore, që i radhisin ato ndër punimet më të bukura në dru të këtyre trevave. Në manastir ka funksionuar një shkollë fetare për përgatitjen e klerit ortodoks.

Dikur manastiri ka pasur një bibliotekë nga më të pasurat në vend, por në vitin 1932 ajo u dogj tërësisht duke përfshirë edhe dokumentacionin historik dhe objekte të tjera me vlerë. Pas djegies së bibliotekës manastiri nuk ka patur një vëllazëri murgjërore, por aty shërbenin laikë që kujdeseshin për pronat e tyre të shumta. Këtu kanë qenë të internuar Kryepeshkopët e Shqipërisë Kristofor Kisi dhe Irene Banushi (nga Shkodra). Mbas vitit 1967, në manastir u vendos një repart ushtarak i cili i solli shumë dëme. Më vonë manastiri u shpall monument kulture dhe rreth vitit 1978 u hap si qendër e albturizmit. Ai iu kthye zyrtarisht Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të vitit 1996. Distanca e largësisë nga Parku Apolonisë deri tek Manastiri është 25km.

KISHA E SHËN GJERGJIT - LIBOFSH

Kjo kishë është ngritur në majën e një kodrine të butë, rrethuar nga një pyll i vogël me drurë të ndryshëm, ku bien në sy qiparisat e moçëm. Hyrja e vizitorëve bëhet nëpërmjet një rrugice me shkallare të buta mbuluar nga degët e drurëve. Rreth kishës ndodhen varrezat e fshatit. Kisha është përfaqësuese tipike e një varianti ndërtimesh kishtare përhapur në Myzeqe gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XVIII-të dhe fillimit të shekullit të XIX-të. Ajo përbëhet nga naosi i lartë në qendër, i rrethuar nga hajatet e ulëta në tri anë dhe nga kulla e këmbanares në pjesën e poshme të së cilës janë hapur portat e hyrjes për në kishë. Në pamjen lindore spikat absida, e ndërtuar bukur me blloqe guri gëlqerorë të mëdhenj e të skalitur.

Ajo është zbukuruar me 7 nike të shkallëzuara e të harkuara nga sipër dhe mbyllet me një kornizë elegante prej guri të gdhendur. Në muret e kishës janë murosur detaje arkitektonike-dekorative antike të marra nga qyteti i Apolonisë. Ndërtimi i kishës datohet në vitin 1776. Sapo futesh në ambientet e saj të bëjnë përshtypje befasuese pikturat murale, të cilat në anën e majtë përfaqësojnë Parajsën, kurse në të djathtën Ferrin. Kisha është dekoruar me afreske në vitin 1782 nga piktorët e famshëm korçarë, Kostandin Zografi së bashku me të birin Tërpon. Më 23 Prill të çdo viti këtu festohet nga banorët dita e Shën Gjergjit. Kisha është shpallur monument kulture në vitin 1963. Ndodhet rreth 14km larg qytetit të Fierit në një pozicion dominues mbi fushën e Libofshës.

KISHA E SHËN KOLLIT – VANAJ

Ngrihet në majën e një kodre të vogël, rrethuar me një pyll të dendur qiparisash. Është ndërtuar në vitin 1777 me planimetri dhe arkitekturë të njëjtë me kishën e Shën Gjergjit (Libofshë), por më e vogël dhe e ndërtuar me gurë shtufi. Absida e saj nga jashtë është e zbukuruar me relieve antike të marra nga Apolonia.

Kisha është pikturuar në vitin 1795 nga Gjergji dhe Joani të familjes Çetiri. Afresket të tërheqin vëmendjen për ngjyrat e forta dhe mjeshtërinë e lartë artistike të vëllezërve grabovarë. Kisha është shpallur monument kulture në vitin 1963. Ndodhet 17 km larg qytetit të Fierit.

KISHA E SHËN NIKOLLËS - KURJAN

Kjo faltore është një ndërtim i tipit trenefsh, e stilit bizantin në formë kryqi të brendashkruar me kupolë. Ajo daton midis shekujve XIII dhe XIV. Gjatë shekullit të XVI, kishës iu bë një restaurim i rëndësishëm, ku tamburi u zëvendësua me çati druri. Afresket e saj janë punuar në vitin 1578 nga i biri i Onufrit, Nikolla, së bashku me një piktor tjetër të quajtur Joan.

Ndodhet në fshatin Kurjan pranë qytetit të Roskovecit. Kisha është e restauruar dhe ambjentet e jashtme janë përshtatur për vizita dhe kryerjen e aktiviteteve artistike e kulturore të ndërmarra nga Bashkia Roskovec. Kisha është shpallur monument kulture në vitin 1963.

KISHA E SHËN GJERGJIT - STRUM

Kisha datohet e ndërtuar në vitin 1782. Këmbanorja ngrihet mbi portën e hyrjes duke krijuar para saj një lloj portiku. Në vitin 1801 është pikturuar nga piktorët Joan dhe Nikolla Çetiri nga Grabova. 

Tre faqet e mureve të brendshme janë aktualisht të mbuluar me afreske, ç’ka e bën më interesante këtë kishë për ta vizituar. Ajo është shpallur monument kulture në vitin 1970. Kisha ndodhet 2 km larg rrugës Roskovec–Berat.

MANASTIRI I SHËN MARISË - ZVËRNEC

Manastiri i Shën Marisë i njohur ndryshe edhe si Manastiri i Zvërnecit është ndërtuar në shekullin XIII-XIV, ndërsa studiues të ndryshëm mendojnë se është themeluar në shekullin e XI-të. Kisha është e tipit kryq i lirë me një nef dhe kupolë. Nga materialet dhe teknika e ndërtimit dallohen dy faza ndërtimi, si ndërtim më i hershëm identifikohet narteksi dhe naosi, në pjesën e tamburit, kupolës dhe absidës lindore ruhen pjesë nga piktura murale.

Pjesa e altarit nga naosi ndahen nga ikonostasi. Si fazë të dytë të ndërtimit dallojmë ekzonarteksin dhe kambanoren. Fasada e portikut është e zbukuruar me harkada të mbajtura nga gjashtë kolona të cilat janë konsumuar nga grryerja e erës dhe ajri i lagësht, i kripur i lagunës së Nartës.